“I pabesë”, Berisha akuza Ramës: Në Theth asnjë ndërtesë nuk ishte në zonë të mbrojtur

Nga A2 CNN
17 Korrik 2025, 12:34 | Politikë

“I pabesë”, Berisha akuza Ramës: Në Theth asnjë

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar me tone të ashpra ndaj veprimeve të qeverisë në Theth, ku janë shembur disa ndërtime. Në një deklaratë publike të shoqëruar me pamje filmike, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama për shkatërrim të qëllimshëm dhe të paligjshëm të zonës, duke e cilësuar këtë si një nga krimet më të rënda shtetërore.

"Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara. Dëshmi e shpërthimit të urrejtjes së një njeriu që ka urrejtjen njerëzore si shtyllë kryesore të moralit të tij të kalbur."

Sipas tij, ndërhyrja e ushtrisë dhe shembja e ndërtimeve janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa fajësoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama se dha urdhrin për aksionin.

"Sot që flasim, në Theth janë hordhitë e ushtrisë, të cilat në kundërshtim me çdo ligj, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, janë shpalosur me urdhër të armikut të egër të Thethit dhe kryejnë detyrat që i ka ngarkuar Rama."

Berisha mohoi që objektet e shembura të jenë në zonë të mbrojtur, duke sqaruar se ato ndodhen në zonën urbane të Thethit, ku lejohet ndërtimi sipas rregullave të parashikuara për parkun kombëtar.

"Asnjë ndërtesë nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane. Po, Thethi është park kombëtar, por ka një zonë urbane ku ndërtohet. Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri."

Ai publikoi edhe pamje nga Thethi, ku një banore shfaqet pranë shtëpisë së saj prej druri dhe në kushte të rregullta ligjore. Sipas Berishës, në të gjitha rastet është ndërtuar mbi tokë private, jo në tokë publike apo të zaptuar.

"Asnjë ndërtim në tokë publike, as edhe në tokën e tjetrit, të gjitha në tokën e vet. Shiheni atë zonjën që ka në krah, shend e verë."

Berisha e mbylli deklaratën me akuza politike dhe morale ndaj kryeministrit, duke e cilësuar “të pabesë e të pamoral”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos