
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me shqiptarët në New Jersey, ku ka folur për rikthimin e tij në Shtetet e Bashkuara, betejën për të drejtën e udhëtimit dhe mbështetjen që, sipas tij, ka marrë nga shqiptarët dhe administrata amerikane.
Berisha e cilësoi takimin si një ditë të jashtëzakonshme, duke u ndalur te ajo që e përshkroi si një betejë kundër padrejtësisë.
“Për ne sot, kjo është një ditë jo e zakonshme. Sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione. Është një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur. E ka menduar si një ditë që nuk do ta shihnim ndonjëherë”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, shumë shqiptarë ndër vite janë përballur me pyetjen nëse mund të sfidojnë padrejtësitë dhe forcat që janë shumë më të mëdha se ata.
“Shumë prej nesh të paktën një herë ose më shumë kemi pyetur veten: kush jemi ne? Kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne”, tha Berisha.
Ai e lidhi përgjigjen me identitetin dhe qëndrueshmërinë e shqiptarëve.
“Por kjo pyetje, kush jemi ne, ka një përgjigje, e cila përjetësisht do jetë burim i pashtershëm i fuqisë sonë për të bërë të pamundurën të mundur. Ne jemi shqiptarë! Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha u ndal më tej te ndalimi i tij për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, duke thënë se kjo masë ishte, sipas tij, pjesë e një padrejtësie.
“Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forcë e të keqes që të gjithë e njohim në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë”, tha ai.
Berisha theksoi se në atë periudhë kishte vite që ishte jashtë pushtetit dhe, sipas tij, ishte thuajse i tërhequr nga jeta politike.
“Në një kohë kur unë isha, 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve”, u shpreh ai.
Kreu i opozitës tha se ishte i bindur se vendimi ndaj tij nuk vinte nga vetë Shtetet e Bashkuara, por nga politika që ai e cilësoi si “antiliri” dhe “antikombëtare”.
“E qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë”, deklaroi Berisha.
(A2 Televizion)