Zjarrvënie e qëllimshme në Himarë? Përgjigjet Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë

Nga A2 CNN
5 Shtator 2026, 21:37 | Politikë

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, bëri bilancin e dëmeve pas zjarrit të ditës së djeshme që përfshiu zonën.

“Janë dëmtuar 3 banesa dhe 3 ambiente të tjera mbështetëse; Ka pasur probleme me rrjetin e ujësjellësit, por sot mbi 95% e dëmeve janë riparuar, besoj se nesër do jetë mbyllur problematika; janë djegur dy kabina elektrike në zonën e zjarrit dhe vetëm dy familjeve nuk u është kthyer energjia; janë djegur edhe rreth 5000 rrënjë ullinj”, tha Gjikuria në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.

“Bashkia ka ngritur grupin e punës për verifikimin e dëmeve”, shtoi më tej Gjikuria.

Në studio, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u shpreh: “Më vjen shumë keq që dëgjoj këtë raportim nga ana juaj, veçanërisht kur flisni për kabina elektrike kur të gjithë shqiptarët i panë turistët të hidheshin në det nga frika e flakëve. Sa është fondi i akorduar nga Bashkia e Himarës për Emergjencat Civile? Referuar faktit që keni thyer një rekord të paimagjinueshëm më parë si bashki se sa i përket të ardhurave jeni bashkia e dytë pas Bashkisë së Tiranës për faktin se keni dhënë leje ndërtimi, keni bërë një masakër urbane, e keni betonizuar atë bashki. Temperaturat në Himarë ditën e sotme dhe ditën e djeshme kanë qenë 32°. Pra, nuk është një zjarr që ka ardhur nga Zoti dhe nuk mund të ketë zjarr për shkaqe natyrore në 32 gradë dhe i referohem të dhënave të Institutit të Gjeoshkencës. Uroj shumë që mos jetë një zjarrvënie e qëllimshme që t'i japë udhën bashkisë për të vijuar masakrën urbane në këtë bashki”, tha Blushi.

Gjikuria u përgjigj duke thënë se “kjo është retorikë politike në një situatë të vështirë”.

“Asnjë turist nuk është hedhur në det. Është e turpshme që doni të nxirrni kredo politike nga kjo situatë. Nëse është betonizuar, çfarë u dogj dje? Mos ta kalojmë tani në këto terma. Unë uroj të mos ketë qenë zjarrvënie e qëllimshme, pasi do ishte çnjerëzore të shkatërrohen pronat e qytetarëve. Mes turistëve pati frikë, por flakët nuk u afruan. Njerëzit realisht u trembën, ata që ishin turistë. Disa prej tyre bënë gati edhe valixet dhe lëvizën. Por, sot në mëngjes situata ishte krejt normale për turistët. Ishin duke ngrënë mëngjesin e tyre, disa ishin duke bërë plazh, duke pirë kafe. Ishte një kontradiktë e çuditshme mund ta quaj, por kjo është jeta, ky është realiteti”, tha Gjikuria.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos