Celibashi i përgjigjet Berishës: Komisionerët e PD nuk kontestuan rezultatin brenda vendit

Nga Ervin Koçi
22 Maj 2025, 15:05 | Politikë

Pavarësisht se demokratët e konsiderojnë procesin zgjedhor një farsë elektorale, komisionerët e tyre kanë firmosur tabelat përmbledhëse të rezultateve brenda vendit pa i kontestuar ato.

A2 CNN e pyeti komisionerin shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, nëse anëtarët e KZAZ-ve kanë pasur pretendime për rezultatin brenda vendit, i cili arriti të prodhonte 82 mandate për Edi Ramën nga 83 që morën socialistët në total. “Për votimin brenda vendit, në dijeninë time, nuk ka kontest për përmbajtjen e tabelave të rezultateve”, tha ai.

Farsa elektorale, për demokratët, është më tepër e theksuar me procesin e votimit nga jashtë vendit, veçanërisht në Greqi. Këtyre akuzave KQZ u kishte kthyer zyrtarisht përgjigje, ku mes argumenteve shprehej edhe fakti se opozita ka pasur mundësi të monitorojë të gjithë procesin e votimit, që nga mbërritja e fletëve në aeroport, deri në numërimin e tyre – argument të cilin Celibashi e përsëriti edhe me zë. “Garantoj se çdo gjë që ka ndodhur brenda vendit gëzon integritet të plotë”, tha ai.

Mbetet të shqyrtohen pretendimet që lidhen me atë se sa është respektuar integriteti i procesit të votimit në marrjen e fletës dhe kthimin e saj.

Konferenca për shtyp u shfrytëzua për të dhënë edhe lajmin se platformat elektronike të KQZ kanë qenë nën sulm kibernetik gjatë ditëve të zgjedhjeve, i cili është zmbrapsur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos