Kryedemokrati Sali Berisha në daljen e së hënës për media nga selia blu u ka dërguar një mesazh dilpomatëve të vendosur në Tiranë, duke kërkuar që të ndalin mbështetjen për narkoshtetin.
Sipas Berishës ka ende diplomatë që bëjnë avokatin e narkoshtetit por “nuk mbulohet dielli me shoshë”. Ndaj PD sipas tij do të vijojë misionin për ekspozimin e lidhjeve të qeverisë me krimin dhe drogën.
“Sa u përket partnerëve ndërkombëtarë, ne në tërësi konstatojmë me kënaqësi që kemi një mbështetje në këtë betejë, sikundër ka edhe të tjerë, po të faktorit ndërkombëtar, që vazhdojnë të mbështesin narkoshtetin me të gjithë fuqinë e tyre. Por ne nuk humbasim durimin. Ne e konsiderojmë mision këtë, mision shumë i vështirë. Po, po, ka edhe sot diplomatë që nuk duan të dëgjojnë, që thonë se Berisha e tepron me këtë punën e narkoshtetit. Unë e kuptoj, por u them se kemi avokati të vështirë. Berisha nuk shpik narkoshtetin, narkoshteti për fat të keq ka ngërthyer si gaforre këtë vend. Dhe ata që përpiqen ta fshehin, u them se dielli me shoshë nuk mbulohet”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD akuzoi ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu se mbështeti ndërtimin e narkoshtetit.
“E vërteta është se narkoshtetin e ndërtoi Edi Rama, por e ndërtoi në mbështetje të hapur të ambasadorit Donald Lu, të Xhorxh Sorosit, me heshtjen e plotë të ambasadorit të BE. Mirëpo kohërat ndryshojnë. Sot përfaqësuesja e SHBA në një seri takimesh njëri pas tjetrit me zyrtarë shqiptarë sjell mesazh kryesor luftën kundër karteleve të drogës dhe terroristëve, bashkëpunëtorëve me kartelet e drogës. Juve u kujtohet fjala në verën e vitit 2015, përgëzonte policinë për luftën kundër drogës, në një kohë kur Shqipëria ishte e mbjellë anekënd. Juve ju kujtohen raportet që bënte Vllahica, që i merrte nga zyra e Ramës dhe i dërgonte në Komisionin Europian, për beteja e suksesshme të Edi Ramës, që ndërtonte narkoshtetin në të vërtetë”, deklaroi Berisha. (A2 Televizion)