Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me akuzat për një takim të zhvilluar në janar 2019 në ishullin Aruba mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, eksponentëve të krimit të organizuar dhe biznesmenëve të lidhur me pastrimin e parave, sipas partisë më të madhe opozitare.
Kërkesa, e firmosur nga shtatë deputetë të PD-së, ndër ta Sali Berisha dhe Gazment Bardhi, bazohet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit që thekson ndjeshmërinë e ekonomisë shqiptare ndaj krimit të organizuar dhe ndikimin e të ardhurave nga trafiku i drogës në konkurrencën e tregut, shkruan A2 CNN.
“Në dokument citohet edhe një investigim i gazetarit italian Nello Trocchia, që përmes burimeve të Antimafias Italiane dhe Policisë gjermane, flet për takimin e fshehtë në Aruba, ku kanë marrë pjesë Artur Shehu dhe Genci Hamzai, si dhe eksponentë të qeverisë Rama. Sipas hetuesve, aty u diskutua për ndërtimin e një kulle në Tiranë në pronësi të grupeve kriminale, me mbështetje politike nga nivelet e larta të qeverisë”, thuhet në pretendimin e PD.
PD rikujton gjithashtu emisionet investigative të “Report” në Rai 3 dhe përgjimet e Antimafias Italiane që lidhin politikanë shqiptarë me pastrimin e parave përmes ndërtimit. Deputetët kërkojnë nga Rama shpjegime nëse ka dijeni për takimin në Aruba, nëse qeveria ka favorizuar Artur Shehun me leje apo fonde publike dhe çfarë masash ka marrë për të parandaluar ndikimin e krimit në ekonomi. (A2 Televizion)