Vota e diasporës, përveç se historike por rezulton dhe vendimtare. Kështu po ndodh edhe për qarkun e Lezhës. Numërimi i të gjitha votave të hedhura fizikisht në kutitë e votimit brenda vendit përfundoi në favor të Partisë Demokratike me një avantazh me rreth 2 mijë vota kundrejt Partisë Socialiste. Tashmë të gjithë sytë janë drejtuar nga vota e diasporës që do të përcaktojë zyrtarisht ndarjen e mandateve për qarkun e Lezhës, pra se cila parti do të mbajë 4 mandate apo 3 ulëse në legjislaturën e re.
Dy forcat më të mëdha në vend, respektivisht Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po bëjnë një betejë deri në votën e fundit, që mund të përcaktojë dhe mandatin e fitores për qarkun e Lezhës. Teksa numërimi për votën e diasporës vijon, të majtët rezultojnë në një avantazh të lehtë kundrejt të djathtëve. Megjithatë emrat e të paktën 4 deputetëve të zgjedhur për qarkun e Lezhës tashmë janë konfirmuar dhe janë 2 për PD dhe 2 për PS, të cilët ishin të përfshirë në listën e mbyllur.
Tashmë mund ta themi me siguri të plotë kush janë katër ulëset e para apo emrat e parë të zgjedhur si deputetë për qarkun e Lezhës. Për partinë Demokratike është Agron Gjekmarkaj dhe Elda Hoti, ndërsa për Partinë Socialiste është Ulsi Manja dhe Ermal Pacaj. Tashmë lufta në këtë qark bëhet në listat e hapura, ku secili prej kandidatëve e ka një shans të fundit për të triumfuar në këto zgjedhje parlamentare dhe për tu ulur në një prej karrigeve që do të përbëjnë legjislaturën e re të parlamentit të Shqipërisë.
Në kampin socialist është garë e fortë mes kandidatëve Pranvera Skana që ka një epërsi me vota kundrejt Aurora Gjeloshit dhe Admir Kadelit. Ndërsa për Partinë Demokratike Gjin Gjoni prin listën preferenciale dhe pasojnë Aleksandër Lala dhe Edison Doçi.
Sa i përket renditjes për partitë e tjera, në qarkun e Lezhës Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet paraqitet forcë e tretë politike dhe ndjekin Partia Socialdemokrate dhe Koalicioni Euroatlantik, që megjithatë nuk ia dolën të dërgonin kandidatët e tyre në parlament. (A2 Televizion)