“Djegia e teserave, akt i turpshëm”. Ndarja territoriale, Rama: Deputetët tanë bënë “tribunin e vegjëlisë”

Nga Fjorela Beleshi
2 Gusht 2026, 17:18 | Politikë

Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet rrjeteve sociale, reagoi për protestat që kanë nisur në bashkitë e prekura nga projekti i PS-së për t’i reduktuar bashkitë nga 61 në 46 të tilla.

Djegien e teserave të PS-së në Poliçan e ka cilësuar të turpshme, ndërsa daljen kundër të disa deputetëve të tij e ka justifikuar me mungesën e njohurive mbi këtë projekt.

“Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS-së” dhe kjo qenka një shenjë tmerrësisht e keqe për “regjimin”. Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS-së në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë, apo ndonjë rast kur deputetë tanë kanë bërë “tribunin e vegjëlisë”, pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale, po edhe e mirëseardhur”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

Shefi i mazhorancës socialiste citon ligjin, që të zgjedhurit vendorë kanë 60 ditë kohë për të dhënë komentet e tyre mbi këtë draftligjor të depozituar në Kuvend. Por Rama i lë të lirë kryebashkiakët e majtë dhe të djathtë të protestojnë, por vetëm në mënyrë paqësore.

“Është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore, për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS-në bashkë”, shtoi Rama.

Ai nuk la pa ironizuar edhe të zgjedhurit lokalë përkundër argumenteve të tyre se pse bashkitë që ata drejtojnë nuk duhet të bashkohen me një bashki tjetër.

“Do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve, ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftërat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhëna të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumentesh në këtë debat”, u shpreh Kryeministri.

Edhe pse është një draft i njëanshëm i PS-së me 46 bashki, Edi Rama thotë që do të vendosë Parlamenti, pavarësisht se në Kuvend mazhoranca i ka bërë llogaritë për ta miratuar me kartonat e saj jeshilë dhe të 3 deputetëve të Tom Doshit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos