Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia Socialiste, Alfred Muharremi, ka komentuar kandidaturën e Florjan Binajt për kryetar të Bashkisë së Tiranës, të mbështetur nga Partia Demokratike.
I ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, Muharremi tha se e respekton Binajn si artist, por jo si kandidat politik.
“Florjan Binaj si aktor është shumë i mirë, do ta duartrokisja dhe do të paguaja biletë për ta parë në shfaqje, por ky aktor ka një regjisor mbrapa, dhe ky regjisor është ai që i ka sjellë problemet më të mëdha këtij vendi”, u shpreh ai, duke iu referuar mbështetjes së Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.
Sipas Muharremit, Tirana ka nevojë për një figurë të testuar në administratë publike, jo për eksperimente politike. “Si qytetar, unë dua një figurë që të jetë provuar në menaxhim. Jul Deda ka pranuar se PD nuk donte të bënte show, por tani po kërkon ta bëjë pikërisht këtë”, shtoi ai. (A2 Televizion)