Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka deklaruar se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka bërë përmirësime të ndjeshme krahasuar me të kaluarën, ndonëse procesi i reformës nuk ka përfunduar plotësisht.
I ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, Bido theksoi se shqetësimi i tij si qytetar dhe prind është që “deri në fund të kësaj rruge të kemi një drejtësi funksionale, më pak të ndikuar nga pushteti dhe më efikase për qytetarët”.
Sipas tij, drejtësia shqiptare ka sot nivelin më të lartë të besueshmërisë ndër institucionet kryesore, krahasuar me vitet e mëparshme. “Nëse duam të bëjmë parulla, është e thjeshtë, por duhet të shohim nga kemi nisur. Dikur drejtësia kishte një pandëshkueshmëri shumë të lartë, jo vetëm për politikën, por edhe për krimin”, u shpreh ai.
Deputeti socialist theksoi se reforma në drejtësi ka qenë më agresive se në çdo vend tjetër, pasi synonte pastrimin e sistemit nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. “U hoqën të gjithë ata që nuk plotësonin kriteret dhe u zëvendësuan me magjistratë të rinj, siç e parashikon ligji”, tha Bido.
Megjithatë, ai pranoi se procesi është ende në zhvillim dhe se vonesat aktuale nuk e zbehin rëndësinë e transformimit që reforma ka sjellë në sistemin gjyqësor shqiptar. (A2 Televizion)