Deputeti socialist Ardit Bido deklaroi në “Off the Record” me Andrea Dangllin se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në gjykatën e Apelit nuk duhet të lidhet me reformën në drejtësi.
Sipas ligjvënësit socialist, krimi që tronditi opinionin publik nuk duhet relativizuar dhe të krijohet ideja se autori ka pasur një arsye.
“Më shqetëson mënyra sesi ngrihet debate sepse është një justifikim i aktit të ndodhur. Nëse ne nuk e dënojmë rastin si një ngjarje kriminale, pa asnjë ekuivok, atëherë themi se ka pasur arsye autori? Kjo ngjarje ka ndodhur dhe në vende të tjera të botës. Ka raste në SHBA në Gjermani. Kjo është një tentative për të justifikuar ngjarjen. Ky është një krim. Mungon serioziteti me të cilat ne marrim masat në gjykata, duhet të forcojmë kontrollet. Deri këtu.
Nëse i lidhim këto gjëra me reformën në drejtësi. Ne kemi të gjithë sondazhet që thonë se organet e reja të sistemit të drejtësisë kanë besueshmërinë më të madhe. Nëse ne tentojmë që të lidhim një ngjarje me reformën në drejtësi si një lidhje e drejtpërdrejt, bëjmë një retorike politike dhe tentojmë të relativizojmë ngjarjen”, tha Bido. (A2 Televizion)