
Perrënjasi është ndër bashkitë e fundit që është shprehur kundër propozimit socialist për hartën e re territoriale. Në mbledhjen e zhvilluar këtë të martë këshlltarët e majtë e të djathtë u bënë bashkë kundër bashkimit me Librazhdin. Megjithatë me banorët do të zhvillohen dëgjesa në terren dhe pse qytetarët mendimin e tyre e kanë dhënë ditë më para, duke dalë në protestë.
Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga koha kur socialistët kanë prezantuar draftin që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, qytetarët në të gjithë vendin duket se janë kundër. Tashmë edhe opozita ka ndryshuar strategji. Degët janë udhëzuar të bëjnë aleanca dhe me kundërshtarët.
Në Fushë Arrëz, ku qeverisin demokratët, ka nisur mbledhja e firmave në një peticion kundër bashkimit me Pukën, ndërsa kreu i bashkisë, Hil Curri, në një komunikim me A2 CNN pohoi se shumë shpejt do të mblidhet edhe Këshilli Bashkiak.
Reforma territoriale përveç protestave po prodhon edhe aleanca të heshtura edhe pse të përkohshme.
Opozitarët pranojnë që kjo kauzë i ka bërë bashkë me kundërshtarët e tyre, por edhe me grupe të ndryshme interesi e që duket se do të kërkohet të shfrytëzohen në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)