Nuk ka analizë pse humbën zgjedhjet, por vetëm denoncime. E tillë ishte konferenca për shtyp e kreut të PD Sali Berisha nga selia qendrore ku në krah të deputetit të ardhshëm nga qarku i Elbasanit Blendi Himçi, si dhe drejtuesit politik të qarkut, denoncoi fenomenin e trenit bullgar në zgjedhjet e11 majit.
“’Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty. Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.”
Duke mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, Berisha nuk sheh arsye pse të zbatojë statutin e PD që sanksionon largimin automatik të kryetarit kur nuk partia nuk vjen në pushtet. Heshtja e strukturave drejtuese dhe grupit parlamentar, i lejon kryedemokratit të avancojë kërkesa ndaj Edi Ramës.
“Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është emergjente, krijimi i një qeverie teknike, zhvillimi i zgjedhjeve të reja, shqiptarët votojnë të lirë. Ky është qëndrimi ynë. Ne kemi me qindra dokumente të pafundme të shkatërrimit, të shndërrimit të procesit zgjedhor në farsë elektorale.”
Përsëriti sulmet ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, për të cilin thotë se qëllimisht vonoi operacionin e Antimafias italiane, që grupet kriminale të ndihmon në zgjedhje mazhorancën socialiste.
“Çfarë mendoni ju se Antimafia Italiane e ka bërë për qëllime elektorale vonimin? Jo, ia ka vonuar Dumani për qëllime elektorale Antimafias Italiane. Ka mashtruar Antimafian Italiane si ordiner. Se kemi operacion tani, se na prish punë tani... Dhe Poja çau ferrën. Kush e njoftoi Elvis Doçin dhe të tjerët? Kush i njoftoi? Këtu janë të gjithë bashkë.”
Berisha deklaroi se vijon të gëzojë respekt për Antimafian Italiane të cilën edhe e përgëzoi, por tha se prokurorët e vendit fqinj janë gënjyer nga homologët shqiptarë. (A2 Televizion)