“Emigrantët” shkojnë në Parlament, PS kërkon paradhënie nga Begaj dekretimin e marrëveshjes me Italinë

Nga Ervin Koçi
11 Dhjetor 2023, 16:05 | Politikë

Socialistët jo vetëm përshpejtuan datën për miratimin e marrëveshjes më Italinë për ngritjen e një qendre pritëse për emigrantët në Lezhë, por kërkojnë nga Presidenti Begaj që ta dekretojë menjëherë, duke dhënë pëlqimin ende pa i mbërritur ligji.

Do kishte qenë mirë që ta kishim propozuar ne, por e mbështesim plotësisht propozimin tuaj dhe shpresoj që Presidenti i Shqipërisë ta marri kërkesën në konsideratë, në mënyrë që Kuvendi i Shqipërisë me ta miratuar ditën e enjte, kjo marrëveshje të hyjë menjëherë në fuqi.

Taulant Balla - Ministër i Brendshëm

Legjitimiteti i kësaj marrëveshjeje duhet të kalojë edhe filtrin kushtetues ku dy grupime të PD-së i janë drejtuar kësaj gjykate me nga një padi secila. Përpara miratimit në Komisionin e Sigurisë, Nasip Naço kërkoi nga Ministri i Brendshëm edhe një sqarim të fundit mbi këtë pretendim kushtetues të opozitës.

Ju në dijeninë tuaj, bie në kundërshtim ky ratifikim dhe ky protokoll me këto nene të Kushtetutës?

Nasip Naço - Kryetar i Komisionit të Sigurisë

Është si ajo kënga e ‘Zonjës nga Qyteti’, që në mos njëri, tjetri Melin do të ma marri dhe këta kanë futur të gjithë nenet e Kushtetutës aty me shpresën se njëra do të ngecen, pa ditur se te cilat do të ngecet. Por një gjë është e sigurt që kjo marrëveshje nuk do të ngecet për alibira apo për pretendime të paqena të individëve të caktuar brenda opozitës.

Taulant Balla - Ministër i Brendshëm

Fryma e humorit ishte prezente edhe në Komisionin e Ligjeve, ku relatori socialist Jurgis Çyrbja nuk e mbante dot gazin, teksa përpiqej të prezantonte draftin.

Tashmë marrëveshja me Italinë për emigrantët do të shkojë për votim në seancën plenare të datës 14 dhjetor ku për miratimin e saj është kërkuar angazhim maksimal nga vetë Edi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos