Avokati Leonard Karaj, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, komentoi dosjen e 21 Janarit, duke folur për rolin e SPAK-ut, pjesëmarrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe qëndrimin e familjarëve të viktimave.
Karaj theksoi se disa familjarë të viktimave, që çdo vit shfaqen pranë politikës, nuk duhet të përdoren për interesa politike: “Shumë prej tyre shkojnë çdo 21 Janar krah për krah Edi Ramës. Nuk duhet të përdoren politikisht. Ngjarja ka nisur keq, politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi.”
Ai kujtoi se hetimi i asaj kohe ka kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare: “U desh ndërhyrja e ambasadorit amerikan për të ulur tensionet. Prokuroria e përgjithshme nuk bëri hetim të detajuar, gjë që çoi tek vendimi i Gjykatës së Lartë në 2017, që mbylli pjesërisht çështjen.”
Karaj vlerësoi rolin e SPAK-ut, duke nënvizuar se institucionet po veprojnë profesionalisht, pa ndikim politik: “SPAK nuk është i verbër. Institucioni po bën hetime objektive, prokurorët e tij janë të përkushtuar, dhe çështja nuk është më nën ndikimin politik të majtës apo djathtës.” (A2 Televizion)
