Xhaxhai i Aleks Nikës flet në “Off the Record”: SPAK prishi aleancat politike, do ketë drejtësi për 21 Janarin

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2025, 20:35 | Politikë

Mark Nikaj, xhaxhai i Aleks Nikës, foli mbrëmjen e sotme në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli për çështjen e 21 Janarit, duke vlerësuar rolin e SPAK-ut në hetimin e ngjarjes që shënoi vdekjen e katër qytetarëve në vitin 2011.

Nikaj theksoi se pas 14 vitesh pritje, drejtësia ka filluar të veprojë pa ndikim politik: “Besojmë SPAK-un, sepse nuk është më nën kontrollin politik të të politikës shqiptare. Hetimet janë të plota dhe objektive, dhe drejtësia do të përcaktojë të vërtetën për urdhëruesit e vrasjes së qytetarëve të pafajshëm.”

Ai komentoi edhe pjesëmarrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në hetime: “Thirrja e Berishës është proceduriale. Nuk na intereson çfarë ka thënë; do të vlerësohet vetëm nga drejtësia”.

Xhaxhai i Aleks Nikës kritikoi vonesat e politikës në trajtimin e çështjes: “Politika është kthyer në bunker për vrasësit. Nuk ka as majtë, as djathtë që të kërkojnë drejtësi, dhe përgjegjësit duhet të shkojnë para gjyqit”.

Ai po ashtu konfirmoi dorëzimin e provave në SPAK dhe theksoi se hetimi po përfundon: “Jemi thirrur, kemi dorëzuar prova, dhe çështja është afër përfundimit. SPAK prishi aleancat politike që kjo çështje të mos arkivohej dhe drejtësia të shfaqej.”

Nikaj shtoi se familja nuk ka marrë asnjë falje apo ndjesë nga ish-udhëheqësit politikë të kohës, të cilët sipas tij, kanë mbajtur qëndrime të mbyllura dhe jo njerëzore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos