2 orë rrëfim në SPAK, Berisha i përgjigjet prokurorëve për urdhrin e zjarrit

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2025, 17:59 | Politikë

2 orë rrëfim në SPAK, Berisha i përgjigjet prokurorëve

Rrëfimin e tij e dëgjuan prokurorët e SPAK, ku Berisha mbërriti i pashoqëruar nga avokati dhe i papritur nga shpura e përhershme e deputeteve të PD dhe simpatizantëve që i qëndrojnë krah në paraqitjet e tij të përdyjavshme për dosjen “Partizani”.

Me një dosje të zezë në duar lideri demokrat kaloi pragun e godinës, ku për dy orët në vijim dha deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes së “21 janarit”.

Në përfundim ish-kryeministri e konsideroi thirrjen e tij të vonuar, ndërsa këmbënguli se nuk ka pasur asnjë urdhër për zjarr.

“Garda që ta mësoni ju dhe mund të rrëmoni 120 mijë herë. Garda nuk funksionin me urdhër, funksionon me ligj. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. A keni dhënë urdhër, asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet kurrë”, tha kreu i PD.

Berisha  tha se i kishte mohuar prokurorëve një pretendim të shprehur në një libër nga ish-presidenti Bamir Topi.

“Ai paska shkruar në libër, se Lulëzim Basha e ka takuar, të nesërmen mos gaboj, për të ndërhyrë tek Ina Rama, që të zbusë masën ndaj oficerëve të gardës. Gjë e cila është teorikisht e pamundur, që unë të dërgoja njeri tek Bamir Topi, që ishte një nga organizatorët, që priste zgjatjen e mandatit nga Edi Rama”, shtoi Berisha.

Më tej, ai shprehu dyshim mbi vërtetësinë e një audio-regjistrimi të dorëzuar në SPAK, të bisedave në radio të oficerëve të gardës gjatës 21 janarit.

“Asnjë gjë. Është zero. Është njëlloj si shiriti i Ilir Metës, si regjistrimi i Metës”.

Por nuk la pa përmendur ndërmjetësimin amerikanë në hetimin e ngjarjes. 

“Ka ndërmjetësuar ambasadori i SHBA. Ka kërkuar dhe çdo oficer i kërkuan nga prokuroria është paraqitur në prokurori”, deklaroi Berisha.

Pas një qëndrimi dy orësh në SPAK, Berisha tha se kishte dhënë çdo shpjegim mbi ngjarjen, por shprehu gatishmëri për t’u kthyer nëse kërkohet nga prokurorët.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos