“Rusia po teston kufijtë e sigurisë evropiane”, Ferit Hoxha: Duhet të qëndrojmë së bashku në të dy frontet

Nga A2 CNN
2 Shtator 2026, 18:08 | Politikë

“Rusia po teston kufijtë e sigurisë evropiane”, Ferit

Moska po teston kufijtë e sigurisë Evropiane dhe po zgjeron ndërhyrjen dhe aktivitetet e saj destabilizuese në të gjithë kontinentin. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha në një reagim pas sulmeve të fundit ruse në Ukrainë dhe incidenti me dron në Leipzig.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i diplomacisë shqiptare shprehet se frikësimi, agresioni dhe ndërhyrja hibride nuk do ta dobësojnë vendosmërinë e Evropës, por sipas tij duhet të jetë më e bashkuar.

Postimi i plotë i ministrit Ferit Hoxha

Rusia ka demonstruar edhe një herë se lufta e saj kundër Ukrainës nuk ndalet në fushën e betejës. Sulmet e saj masive në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase, përfshirë sulmin e drejtpërdrejtë në Universitetin Kombëtar të Teknologjive Ushqimore ndërsa mësimi ishte në zhvillim e sipër, janë pjesë e një fushate brutale që vazhdon të vërë civilët në rrezik.

Evropa dhe Shqipëria si pjesë e saj, kishin të drejtë që nga dita e parë që qëndronin pranë Ukrainës, dhe ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ukraina mbetet vija e parë e kësaj lufte. Por është gjithnjë e më e qartë se shtrirja dhe ambiciet e Rusisë shtrihen shumë përtej Ukrainës.

Incidenti i konfirmuar i dronit rus në Leipzig është një tjetër kujtesë e fortë se Moska po teston kufijtë e sigurisë Evropiane dhe po zgjeron ndërhyrjen dhe aktivitetet e saj destabilizuese në të gjithë kontinentin. Frikësimi, agresioni dhe ndërhyrja hibride nuk do ta dobësojnë vendosmërinë e Evropës. Ato duhet të kenë efektin e kundërt: një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur. Ukraina po mbron tokën e saj. Evropa po mbron sigurinë e saj. Ne duhet të qëndrojmë së bashku në të dy frontet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos