Premtimi i Ramës, Dorian Teliti: Kryeministri po bën propagandë me pensionet

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 22:23 | Politikë

Dorian Teliti, këshilltar i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se kryeministri Edi Rama po bën propagandë me pensionet, pasi, sipas tij, asgjë nuk ndryshon për pensionistët.

“Buxheti e thotë qartë: çdo pensionist i Republikës së Shqipërisë trajtimin që do marrë gjatë vitit 2025, identik do e marrë edhe gjatë vitit 2026. Ai që ndryshon vitin e ardhshëm është detyrimi ligjor për indeksimin me normën e inflacionit, me atë 2% apo 2.5% që ndodh çdo vit. Bonusi i fundvitit që jepet në dhjetor, ai bonus do pjesëtohet për 12 muaj dhe do e marrin muaj për muaj pensionistët. Nga 5000 lekë, 8000 lekë, 10 000 lekë, 15 000 lekë... Asnjë ndryshim s'ka. Në fund të vitit, total 2026, krahasuar me totalin e vitit 2025, pensionistët do marrin të njëjtën gjë, të njëjtin trajtim identik. Çdo gjë tjetër është thjesht propagandë”, tha Teliti.

“Buxheti ka diçka të mirë, në fund fare flet me shifra dhe shifrat flasin qartë. Konkretisht, këtë vit për indeksimin e pensionit kishe 16 milionë euro në dispozicion. Për vitin e ardhshëm ke 17 milionë. Pse? Sepse rritet numri i pensionistëve dhe duhet 1 milion euro më tepër. Për bonusin e fundvitit këtë vit ke 97 milionë euro. Vitin e ardhshëm ke 100 milionë euro. Pse 3 milionë euro tepër? Sepse rritet numri i pensionistëve me 28 000 pensionistë shtesë që dalin vitin e ardhshëm. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi. 2026 me 2025 janë fotokopje të njëra-tjetrës. I vetmi ndryshim është që ai 100 mijë lekëshi që marrin në fund të vitit apo 150 mijë në varësi të fashave, do pjesësohet për 12. Nuk është rritje”, shtoi këshilltari i PD-së.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos