Gjuha e përdorur ndaj Gonzatos, Sali Berisha përjashtohet me 10 ditë nga Kuvendi

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 14:34 | Politikë

Gjuha e përdorur ndaj Gonzatos, Sali Berisha përjashtohet me 10

Sekretariati i Etikës në Kuvend ka marrë vendim për të përjashtuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha me 10 ditë pune nga Parlamenti.

Vendimi është arsyetuar me argumentin: “Shkelje e nenit 6 të kodit të sjelljes dhe nenit 1 të ligjit nr.10221/2010 për mbrojtjen nga diskriminimi pasi ka targetuar dhe fyer një grup të caktuar."

Partia Socialiste i kishte dërguar një kërkesë Komisionit të Etikës së Kuvendit që të përjashtojë deri në 60 ditë Sali Berishën nga punimet e Kuvendit pas deklaratës së tij nga ambientet e jashtme të Parlamentit, për ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato.

Disa orë para se ligji për barazinë gjinore të votohej në Kuvend, kreu i PD tha se nuk vjen si direktivë e Bashkimit Europian, ndryshe nga ç'kishte deklaruar më parë ambasadori i BE-së. Berisha tha se ambasadori nuk mund t’i impononte shoqërisë shqiptare "standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore".

“Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar. Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare. Kështu që ligji nuk ka asgjë të përbashkët. Le t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Të dalë, ta nxjerrë aty”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Ndërkohë, edhe Taulant Balla është paraqitur vetë në Sekretariat dhe po dëgjohet nga tre socialistët pasi demokratët kanë kërkuar përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Parlamentit, të kreut të grupit parlamentar të PS.

Demokratët thonë se në seancën e kaluar Balla i ka ofenduar me termat si “po lehin”, “rraca e tyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos