
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë të cilët ndodhen në ditët e fundit para se të shpallet vendimi i gjykatës, Kryeministri Rama ka ndarë një postim duke e cilësuar si farsë këtë proces. Rama shpreh bindjen se askush nuk ia merr dot lirinë Hashim Thaçit, madje sipas tij, ai do të triumfojë “me forcën e së vërtetës” që vitet e burgut “e kanë bërë më të madhe.”
“Liri për çlirimtarët! Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë”, shprehet kryeministri Rama në postimin e tij. (A2 Televizion)