Parlament me dy dhoma, Berisha: Gati të ulem me Ramën për të ndryshuar kushtetutën

Nga Anesti Barjamemaj
28 Tetor 2025, 18:58 | Politikë

Sali Berisha është gati të ulet në tryezë me Edi Ramën për të ndryshuar Kushtetutën. I pyetur nga A2 CNN lidhur me nevojën për ndryshime kushtetuese për të ndryshuar sistemin zgjedhor, lideri demokrat pohoi se është gati në çdo kohë duke treguar edhe propozimet e tij.

“Ka dhe një mendim tjetër që është i kahershëm, nëse hyn në anale. Po është 25-30 vite më parë, që vendi të bëhet me dy Dhoma. Të ketë dhomën e lartë, Senatin dhe dhomën e parlamentit”.

Sipas tij ndarja e Kuvendit me dy dhoma nuk është për të bllokuar, por për të pasur një mekanizëm frenues ndaj shumicës parlamentare.

“Unë jam dakord me këtë variant, sepse sado pak, pak, por nëse e ndërton Senatin jo si një institucion bllokues, se me bllokim shteti nuk ndërtohet, por si një institucion frenues në një farë mënyre, atëherë i bën një të mirë vendit”.

Bërja e Kuvendit me dy dhoma do të mundësonte uljen e numrit të deputetëve. Për këtë Berisha është dakord, por nuk pranon tkurrjen e numrit të bashkive.

“Shqipëria nëse vendos të ketë senat, atëherë pa diskutim që duhet të pakësojë numrin e deputetëve. Për bashkitë jo, nuk jemi për zvogëlimin e tyre…”

Kuvendi një ditë më parë miratoi ngritjen e dy komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale. PS dhe PD ranë dakord për këto komisione, por partitë e reja kanë shprehur pakënaqësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos