Balla në Takimin e 20-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit: Shqipëria në fazën më të avancuar të integrimit europian

Nga A2 CNN
28 Tetor 2025, 17:08 | Politikë

Balla në Takimin e 20-të të Komitetit të

Shqipëria ndodhet në momentin më të rëndësishëm të rrugës drejt anëtarësimit në BE. Kështu u shpreh kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në Takimin e 20-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit.

Në fjalën e tij Balla theksoi se rezultatet në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe përputhshmërinë me politikat e BE-së tregojnë gatishmërinë e vendit për të ecur “me shpejtësi, përgjegjësi dhe besueshmëri”.

Balla vlerësoi konsensusin parlamentar për ngritjen e komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale, duke e cilësuar këtë si shembull të frymës europiane që duhet të udhëheqë politikën shqiptare.

Ai nënvizoi se Parlamenti mbetet shtylla qendrore e procesit të integrimit, duke garantuar transparencë dhe përfshirje në çdo hap të negociatave.

Sipas tij, tre vite pas hapjes së negociatave, Shqipëria ka hyrë në fazën më të avancuar të procesit integrues, duke hapur pesë nga gjashtë grup-kapitujt e negociatave me BE-në dhe përfunduar mbi 777 seanca screening.

Balla përmendi gjithashtu miratimin e Udhërrëfyesit për Efikasitetin e Gjyqësorit, 30 dënimet përfundimtare të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe rritjen me 46% të perceptimit publik për pavarësinë e gjyqësorit.

Në fushën e jashtme, Balla theksoi se Shqipëria ruan 100% përputhshmëri me politikën e sigurisë dhe të jashtme të BE-së dhe ka nënshkruar Partneritetin e Sigurisë e Mbrojtjes me Unionin. Ai shprehu bindjen se vendi do të përmbushë të gjitha kriteret ndërmjetëse deri në fund të vitit, për të mundësuar Konferencën Ndërqeveritare në dhjetor dhe nisjen e mbylljes së kapitujve gjatë vitit 2026.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos