Parlamenti i ri 47-vjeçar, Berisha mund të çelë seancën e parë. Neomalsorja, deputetja më e re

Nga Fjorela Beleshi
22 Maj 2025, 16:53 | Politikë

Shtatorin e ardhshëm, mosha mesatare në sallën e Parlamentit do të jetë 47 vjeç. Mes dy partive kryesore, demokratët janë pak më të vjetër, me një moshë rreth 50 vjeç, sa i përket deputetëve që do të ulen në Kuvend. Formacioni tjetër është ai që ul mesataren e përgjithshme, pasi 83 deputetët e Edi Ramës kanë një moshë pak më të madhe se 45 vjeç.

Dikur Kejdi Mehmetaj e LSI-së mbante primatin me 19 vitet e saj si parlamentarja më e re. Tani, deputetja me moshën më të vogël do të jetë 24-vjeçarja Marjana Koçeku, dalë nga listat e PS-së në Shkodër, e ndjekur nga Zegjine Çaushi, 27-vjeçarja e socialistëve të Fierit, e cila u bë virale gjatë fushatës me ironizimin ndaj Gazment Bardhit, shkruan A2 CNN.

Në skajin tjetër dallon Sali Berisha, që pasi ka provuar postin e Presidentit dhe Kryeministrit, me 81 vitet e tij gëzon të drejtën e drejtimit të Parlamentit në çeljen e legjislaturës, si deputeti më i moshuar në sallë. Në rast se Berisha do të refuzojë këtë “privilegj”, stafetën e merr një tjetër mjek demokrat, 76-vjeçari Tritan Shehu, ndërsa kandidati i tretë vjen nga radhët e socialistëve, 68-vjeçari Vasil Llajo.

Shumica e prurjeve të reja në Parlament janë të angazhuar prej vitesh në politikë, ndonëse në nivele të ndryshme, si ministra, ish-kryebashkiakë apo nënkryetarë bashkie, si dhe ish-drejtorë institucionesh. Nuk mungojnë as ata që vijnë nga bota e sipërmarrjes: ekonomistë, juristë, mjekë apo arsimtarë.

Në Parlament ka pasur shpesh përfaqësues nga fusha e medias, por kësaj radhe do të jenë 5 deputetë të cilët kanë mbaruar studimet për gazetari apo edhe kanë punuar në këtë sektor: nga pedagogia në radhët e socialistëve Iris Luarasi, Tedi Blushi i PL-së, Ardit Bido, Erald Kapri apo edhe ministri Arbjan Mazniku. Edhe artistët nuk mungojnë – njëri prej tyre, Ermal Pacaj, ka qenë edhe pjesë e grupit muzikor LRC në Lezhë.

Dy deputetë të zgjedhur kanë vetëm arsim të mesëm: sipërmarrësi socialist Skënder Pashaj dhe Ana Dajko e Nismës "Shqipëria Bëhet", e cila pritet t’ia dhurojë mandatin parlamentar Adriatik Lapajt, sipas marrëveshjes mes kandidatëve të këtij subjekti.

Profilet e deputetëve të rinj do të ndikojnë edhe në vendosjen e tyre në komisionet parlamentare, pasi PS dhe PD kanë hequr nga ekipet e tyre kryetarët dhe nënkryetarët e 3 komisioneve të përhershme, duke nisur nga Ligjet, Veprimtaria Prodhuese dhe Siguria Kombëtare. Me formacionet e reja, do të ketë ndryshime edhe në dy komisionet e posaçme: ai për dezinformimin dhe ai për antikorrupsionin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos