Ish-kandidati i partisë ‘Koalicioni Euroatlantik’, Shemsi Prençi, është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha nuk bëri përpjekjet e duhura për të futur në të njëjtin koalicion partitë e tjera të opozitës, që sipas tij, morën 220 mijë vota.
Komentet Prençi i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku tha se Berisha harxhoi më shumë energji për të futur brenda koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ parti që nuk kishin vota, sesa subjektet politike që kishin më shumë mbështetje qytetare.
Ai tha gjithashtu se nëse të gjitha partitë opozitare do të bashkoheshin në një front të vetëm, do të krijohej një frymë e cila sipas Prençit, do të sillte të paktën 100 mijë vota shtesë për opozitën dhe do të parandalonte fenomenet e tjetërsimit të votës, shkruan A2 CNN.
“Lidershipi i opozitës më shumë energji harxhoi për të marrë në koalicion parti inekzistente që nuk kanë marrë asnjë votë, që s’kanë patur as kandidatë brenda koalicionit. Partitë që kanë patur kandidatë, si Partia e Lirisë, Partia e Re Demokratike e drejtuar nga Sali Shehu, ka marrë 1400 vota.
Pra të konsumosh energji për të marrë një parti me 1400 vota dhe të mos konsumosh energji për të futur brenda koalicionit 220 mijë vota, që janë gjithsej 7 parti politike të opozitës, kjo nuk është largpamësi e një lideri që synon rotacionin politik. Do ishte krijuar edhe fryma, do të ishin edhe mbi 750 mijë vota. Berisha ka deklaruar në media që Lapaj, Agron Shehaj, Lulzim Basha, janë paterica të Partisë Socialiste.
Nëse do vijojmë t’i bëjmë qejfin Sali Berishës, ne e kemi groposur demokracinë. Nëse do vijojmë të jemi kriticienë racionalë për fenomenet që kanë ndodhur në zgjedhje, ne i bëjmë mirë PD-së, demokracisë, por edhe vetë Berishës. Fryma e një opozite të bashkuar lëviz të paktën 100 mijë vota në Shqipëri. Pastaj kjo frymë parandalon edhe fenomenet e tjetërsimit të votës”, tha Prençi, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)