Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama e ka nisur takimin me elektoratin e Librazhdin duke ironizuar drejtuesin demokrat të qarkut të Elbasanit Tomorr Alizoti, pas deklaratës së këtij të fundit 5 ditë më parë, teksa paralajmëronte kundërshtarët politikë.
Me ironi, kryesocialisti u shpreh se ishte gati të kthehej mbrapsht nga Librazhd pas fjalëve të Alizotit.
"Ju kërkoj ndjesë se kam ardhur me vonesë. Kam ardhur me shumë frikë dhe gati-gati isha duke u kthyer mbrapsht se ka dalë njoni këtej se do të na hajë të gjallë. Edhe thashë mirëpo nuk e shoh gjëkundi. Sot kemi edhe një takim të madh përmbyllës në Elbasan dhe ju falënderoj se jeni kaq shumë këtu, se duke iu parë kaq shumë edhe mua më del pak frika se ai kur thotë do hamë, ai ha me gjithë mend ", u shpreh Rama, teksa prezantoi më pas arritjet në këtë zonë gjatë qeverisjes socialiste.
(A2 Televizion)