Psikologia Edlira Durmishaj ka folur për eksperiencën e saj gjatë kandidimit për deputete në radhët e PS dhe për klimën e krijuar nga komentet në rrjetet sociale, duke u shprehur se është përballur me dhunë dhe agresivitet online. Sipas psikologes ky agresivitet është dëshmi e hidhur e mentalitetit që ka populli shqiptar në tërësi.
Duke folur për protestën, psikologia u shpreh se disa episode dhune nuk duhet të përdoren për të zhvlerësuar të gjithë lëvizjen qytetare. Sipas saj, protesta ka shërbyer edhe për të thyer disa tabu në shoqëri.
“Flas nga pozicioni i një gruaje që vij nga një eksperiencë kandidimi. Jam përballur në mënyrë goxha intensive...Unë e kam përjetuar si agresivitet, këtë pjesën e dhunës online, linçimet, akuzat totalisht e pabaza, etiketime pafund. I kam fshirë në atë kohë. Me mendjen e sotme nuk do t’i fshihja sepse janë një dëshmi e hidhur, e asaj që kemi ne në kulturën politike si mentalitet, si popull. Personi që ka marrë një përgjegjësi publike, ja jetë personale, ka një familje”, Durmishaj në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
“Nuk mund të përdorim disa episode për ta zhvlerësuar të gjithë protestën, apo të gjithë klimën e protestës. Nuk mendoj që disa episode e zhvlerësojnë. Mendoj që ajo protestë ka patur një mision të bukur sepse ka thyer disa tabu në shoqërinë tonë, për mënyrën si mund të reagojmë, si e adresojmë zemërimin, dhe një politikan i mirë s’i trembet kritikës. Problemi është se zemërimi s’është kritikë. Ajo që duhet të kemi parasysh është klima e lejueshmërisë së dhunës”, u shpreh psikologia.
(A2 Televizion)