Mjeku dhe aktivisti Ermal Pashaj duke folur për protestën para Kryeministrisë, ka argumentuar se lëvizja qytetare duhet të kalojë në një fazë tjetër organizimi dhe përfaqësimi. Sipas Pashajt, protesta duhet të maturohet jo vetëm në drejtim të përshkallëzimit të qëndresës, por edhe përmes artikulimit të qartë të alternativave dhe zgjidhjeve.
“Ka ardhur momenti që edhe protesta duhet të maturohet, jo vetëm sa i përket përshkallëzimit të qëndresës në shesh, por po ashtu si kundër edhe maturimit sa i përket ngritjes piramidale. Ka ardhur koha që tezat që janë artikuluar si zgjidhje të artikulohen gjerësisht, nga një përfaqësi e protestuesve”, tha Pashaj në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.
Ai propozoi gjithashtu krijimin e një grupi përfaqësues të protestës, i cili, sipas tij, duhet të marrë përsipër artikulimin e zgjidhjeve.
“Të formohet një grup përfaqësues i protestës, i cili duhet të fillonte të artikulonte zgjidhjen e ankesave. Ka pasur punime në këtë kontekst, dhe këto punime duhet të shfaqen tanimë, pa hezitim, dhe pa patur ndroje se do të anatemohen, apo se do të krijojnë një pol të atakueshëm nga politika shqiptare”, shtoi ai.
Pashaj foli edhe për zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe nivelin e demokracisë në radhët e deputetëve të mazhorancës.
“Fenomenet që kam parë në rreshtat e deputetëve të mazhorancës, janë të një ngjashmërie të një ushtrie që i bindet vetëm autokracisë. Unë s’e mbaj mend të tilla PS-në”.
(A2 Televizion)