“Je jashtë ligjësisë politike”, Shehi për Berishën: Si do ta rrëzosh Ramën kur ke probleme me SPAK

Nga A2 CNN
5 Shtator 2026, 13:46 | Politikë

Një sukses për Berishën, por jo për opozitën e cilëson kreu i LZHK-së Dashamir Shehi vizitën e kryedemokratit në SHBA pas heqjes së non gratës. Në studion e Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, Shehi paralajmëroi 3 ditë më parë se votat e opozitës po tkurren gjithnjë edhe më shumë.

“Ndryshon për Berishën, për opozitën nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe. Si grata dhe non grata, Berisha politikën e ka bërë, Partinë Demokratike, vulën e selinë e mori. Në zgjedhje ka hyrë. Në qoftë se këto vota që qenë 600 e sa mijë u bën 500.000, herën që vjen bëhen më pak. Edhe unë kam frikë që kështu do të ndodhë. Kështu që unë nuk kam shpresë që kjo zgjidh gjë në rrafshin opozitar. Shpresën e kam te këto të rinjtë, te këto lëvizjet e reja”, tha Shehi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Pas kësaj Shehi i sugjeroi Berishës t’i japë zgjidhje bllokut opozitar dhe ta kuptojë që është jashtë ligjësive politike.

“Unë do të doja që mbasi i mbylli këto, të ketë një gjykim tjetër shumë më të ftohtë politikisht. Ta kuptojë që është jashtë ligjësisë politike. Nuk mund të rikthehesh pas tre herësh. Nuk ndodh. Nuk ka ndodhur. Kjo është një ligjësi e politikës. Është ligjësia e natyrës. Që kur ka një limit jeta edhe fizike, biologjike”, u shpreh Shehi.

Në këto kushte ai i solli në vëmendje kryeopozitarit përballjen me SPAK, një problem që sipas Shehit e dëmton opozitën për të ardhur në pushtet përballë kundërshtarit politik.

“Si do marrësh përsipër ti që do i drejtoje këta njerëz? Çfarë do bëjë ky? Pretendon kryeministrin Shqipërisë. Ti je i pari i këtij grupi, do shkosh ta drejtosh deri në çfarë viti? Pastaj ti kur vetë je nën probleme me SPAK. Siç thërrasin këta (të mazhorancës) në SPAK, të thërrasin edhe ty në SPAK. Dhe fillon të çarmatosesh. Me çfarë armësh do t'i biesh kundërshtarit? Duhet një analizë tjetër për këtë punë. Edhe nuk vlejnë këto lavditë e këto dekoratat, janë personale. Po kur do marrësh përsipër misionin që kjo qeveri do rrëzuar me të gjitha kushtet,  një nga kushtet është që mos jesh ti tabela e qitjes që ky Edi Rama të thotë që po iki unë po kush do vijë. Në qoftë se kjo punë e pengon rrëzimin e tij, gjykoj që opozita në mënyrë të detyrueshme, jo të natyrshme, po të detyrueshme duhet të gjejë një trajektore të re politike”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos