Gazetari Lutfi Dervishi ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, gjatë një interviste në emisionin Off the Record me gazetarin Andrea Danglli, ku e cilësoi situatën zgjedhore në vend si thellësisht shqetësuese.
“Ky është një vend që nuk i bën dot zgjedhjet e barabarta dhe kjo është fjalia e parë që duhet të na shqetësojë”, deklaroi Dervishi, duke shtuar se nëse vendi arrin në pikën ku mungon turpi, “atëherë debati për demokracinë është i mbyllur.”
Sipas tij, zgjedhjet janë mekanizmi themelor që përcakton ardhjen apo largimin e një partie nga pushteti përmes vullnetit të qytetarëve, por kur ato kthehen në “parodi”, sistemi politik humbet legjitimitetin.
“Nëse krijon një sistem patronazhi agresiv, në kufijtë e ligjit, me intimidim të votuesve dhe kandidatëve, atëherë nuk mund të flitet më për zgjedhje të lira”, u shpreh ai.
Gazetari kritikoi edhe indiferencën e qeverisë ndaj raportit të ODIHR-it, duke kujtuar se në momentin e publikimit, “kryeministri dilte në inspektime dhe ministrat në kantierë”, si për të shmangur çdo reagim politik serioz.
Dervishi theksoi se cilësia e zgjedhjeve ka përcaktuar gjithmonë stabilitetin e vendit.
“Kur Shqipëria ka bërë zgjedhje të mira si në 1992, 2005 apo 2013, ka pasur stabilitet politik, rritje ekonomike dhe përparim drejt BE-së. Kur zgjedhjet kanë qenë të këqija, vendi ka humbur drejtimin”, tha ai.
Dervishi nënvizoi se standardi i vërtetë demokratik nuk është vetëm rotacioni i pushtetit, por fakti që rotacioni të vijë si rezultat i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe konkurruese. (A2 Televizion)
