Grupi i punës i ngritur nga Partia Demokratike për përzgjedhjen e kandidatit opozitar për Bashkinë e Tiranës ka nisur zyrtarisht takimet me aleatët politikë.
Grupi, i përbërë nga tre: Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi dhe Flamur Noka, zhvilluan një takim me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.
Flamur Noka theksoi se opozita është në hapat e parë të konsultimeve, por është e vendosur t’i ofrojë kryeqytetit kandidatin më të mirë të mundshëm, shkruan A2 CNN.
Takimi u mbajt në një prej hoteleve të kryeqytetit, ku për një rastësi ndodhën edhe disa nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, mes tyre Ogerta Manastirliu, Evis Kushi dhe Belinda Balluku – kjo e fundit e konfirmuar tashmë si drejtuesja e fushatës së Manastirliut, që është kandidatura e PS-së për Bashkinë e Tiranës pas shkarkimit të Erion Veliajt. (A2 Televizion)