Siguria ushqimore te fondet IPARD, sfidat me të cilat duhet të përballet ministri i ri i bujqësisë

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 16:28 | Politikë

Siguria ushqimore te fondet IPARD, sfidat me të cilat duhet të

Nga siguria ushqimore te zhbllokimi i fondeve IPARD të Bashkimit Evropian, bashkë me frenimin e shpopullimit dhe nxitjen e prodhimit vendas. Janë këto disa nga sfidat e të cilat duhet të përballet Andis Salla, kryetari i bashkisë së Cërrikut me profesion jurist që u propozua nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Me Anila Denajn që ikën nga “bujqësia” pas dy vitesh në krye të saj, ministri i ri do duhet të zgjidhë shumë nga hallet e vjetra të bujqve dhe fermerëve shqiptarë. Ai merr këtë detyrë në një moment kur fermerët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta, tregje të kufizuara dhe një klimë që nuk njeh më stinë të parashikueshme.  Për më tepër, pezullimi i fondeve evropiane ka ngrirë dhjetëra projekte që do të sillnin modernizim, ujitje, infrastrukturë dhe mundësi për të rinjtë që po largohen nga fshati çdo ditë.

Siguria ushqimore është një nga përparësitë më urgjente. Nga qumështi dhe mishi që konsumojnë fëmijët, tek frutat, perimet dhe produktet e përpunuara që mbërrijnë në treg, çdo hallkë e zinxhirit duhet të jetë e kontrolluar dhe e certifikuar sipas standardeve evropiane.

Skandalet e së shkuarës me produktet e kontaminuara dhe mungesën e gjurmueshmërisë kanë goditur besimin e konsumatorëve dhe kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e institucioneve për të mbrojtur shëndetin publik.

Për ministrin e ri, koha nuk është në anën e tij. Ai duhet të lëvizë shpejt: të rikthejë besimin e BE-së, të vendosë rregull në përdorimin e fondeve, të forcojë tregun për produktet shqiptare dhe të krijojë arsye që fshati të mos mbetet bosh.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos