“Këshilltarët mund të rrëzojnë gjithë kryebashkiakët”, Krasniqi: Rasti i Tiranës mund të kthehet në precedent

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 21:24 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli në A2 CNN, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, duke paralajmëruar se ky rast mund të hapë një precedent të ri për të gjitha bashkitë në vend.

Sipas Krasniqit, ky vendim nuk është një ngjarje tragjike, por pjesë e një procedure ligjore që mund të marrë kohë, ndërsa theksoi se nuk dihet ende nëse zgjedhjet në Tiranë do të mbahen apo jo në të njëjtën datë me bashkitë e tjera.

“Në disa raste të tilla, Gjykata Kushtetuese ka marrë të njëjtin vendim dhe nuk ka pasur një standard dytësor. Nuk e shoh si ngjarje të madhe apo tragjike, e shoh si procedurë. Për të kaluar nga procedura te përmbajtja është një rrugë jashtëzakonisht e gjatë”, tha Krasniqi.

Megjithatë, ai ngriti shqetësimin se ky vendim mund të ndikojë në balancat e pushtetit vendor, nëse në të ardhmen këshillat bashkiakë vendosin të shkarkojnë kryebashkiakët e tyre.

“Supozojmë që Këshilli Bashkiak i Kavajës ose ato 6 bashki që kanë ngelur, të ndryshojë raporti i këshilltarëve dhe shumica të shkarkojë kryetarin e bashkisë. Thelbi i sistemit tonë kushtetues është për t’iu dhënë mbrojtje juridike, dhe mbrojtja më e madhe juridike vjen nga Gjykata Kushtetuese”, theksoi ai.

Krasniqi shtoi se vendimi përfundimtar i Kushtetueses, që pritet më 31 tetor, do të përcaktojë qartë nëse presidenti ka vepruar në përputhje me ligjin apo jo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos