Alimehmeti për pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë: Rrëmujë totale mes Kushtetutës, Kryeministrit dhe Presidentit

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 20:42 | Politikë

Kryetari i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ndalon zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, duke pezulluar dekretin e Presidentit për caktimin e datës së tyre.

I ftuar në emisionin Off the Record nga Andrea Danglli, Alimehmeti u pyet nëse është i kënaqur me këtë vendim, por ai u shpreh se situata është bërë kaotike për shkak të ndërhyrjeve të qeverisë.

“Nuk jam i kënaqur me rrjedhën e gjërave. Këtu, Kushtetuta, Kryeministri, Presidenti... është një rrokopujë. Do të kishte qenë shumë e thjeshtë nëse do të ishin zbatuar këto gjëra. Do të ishte mbledhur këshilli bashkiak që në maj, Këshilli i Ministrave bën detyrën e tij dhe ka 15 ditë kohë kryetari i bashkisë, dhe do të ishim akoma në qershor me një rend normal vijimësie”, tha ai.

Sipas Alimehmetit, vendimmarrjet e fundit kanë krijuar një situatë të ndërlikuar institucionale: “Vjen Kryeministri me urdhër, ngatërron datat dhe vë në presion Presidentin”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos