"Ngërçi" me pagat, Rama - gjyqtarëve: Çfarë jeni ju? Partia e çekiçëve?!

Nga Armand Bajrami
13 Shtator 2026, 14:17 | Politikë

Kreu i qeverisë, Edi Rama, u shfaq edhe njëherë i ashpër në debatin për bllokimin e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve. Mes kritikash të forta për Këshillin e Lartë Gjyqësor e atë të Prokurorisë dhe reagimet sfiduese të magjistratëve, Rama tha se do të zbatojë vendimin e Kushtetueses, por sipas tij, askush nuk duhet të bëjë kërcënime ndaj pushteteve të tjera të pavarura.

“Po çfarë, ku jemi këtu? U shtua edhe një parti tjetër politike tani? Që do të nxjerrë dhëmbët dhe do skërmiet nëpër mediat e Shqipërisë, për të marrë lekë? Për rroga? Për t’i shumëfishuar pagat e veta krahasimisht me gjithë të tjerët?”

Mes një video në rrjetet sociale, teksa rrugëtonte drejt Beratit, kreu i qeverisë, Edi Rama, kritikoi vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor e atij të Prokurorisë mbi pagat e magjistratëve dhe qëndrimin arbitrar të këtyre të fundit, duke sfiduar dhe kërcënuar, sipas tij, pushtetet e tjera.

“Gjëja e parë që ju vajti ne mend ishte që ti dilni përballë e ta sfidoni, me një formë kaq brutale. Vetë zot vetë shkop? Po pse çfarë jeni ju? Partia e çekiçëve? Ato çekiçët për çfarë i keni, për parti? Për luftë politike? Për të dalë e për të kërcënuar autoritetet kushtetuese e politike të Republikës së Shqipërisë?”.

Teksa pranoi që Kuvendi nuk e zbatoi afatin kohor të vendosur nga Kushtetuesja, Rama nënvizoi mungesën e një trajtimi të civilizuar të mosdakordësisë nga magjistratë, por u zotua për zbatim të vendimit Kushtetues.  

Më herët, mes një postimi në platformën X, Rama tha se paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280 % më e lartë se paga mesatare e Administratës shtetërore dhe 60 % më e lartë se ajo e magjistratëve në rajon.

Sipas kreut të qeverisë, me rritjen e kërkuar, paga e tyre shkon mbi 5 mijë euro më e lartë se paga e presidentit dhe 6300 euro më e lartë se paga e ministrit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos