"Ky mandat i ri, provimi i madh i shtetit", Rama: Opozita të sillet mirë në Parlament

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 10:16 | Politikë

"Ky mandat i ri, provimi i madh i shtetit", Rama: Opozita të

“Ky mandat i ri është provimi i madh i shtetit. Kohëzgjatja e këtij provimi përkon me kohëzgjatjen e planit ambicioz kombëtar për të ulur Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Europian”.

Kështu u shpreh Edi Rama në Parlament, në seancën e votëbesimit të qeverisë së re.

Kryeministri i kërkoi edhe opozitës që nëse sillet mirë, do të ketë “vëmendjen dhe kohën që dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbëve si argument dhe të zhurmës dhe rënies me dorë të tavolinave si alternative”.

“Dua t’i them shumicës se jo një mandat, por vite të tëra politike, nuk mjaftojnë për ta shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë. 83 mandate apo mbi 50% e zgjedhësve në mbështetje janë shifra të një borxhi të jashtëzakonshëm për mandatin e katërt. Borxh që duhet ta marrim përsipër çdo ditë, jo me fjalë, por me një vijë të re sjelljeje, qasje të re vetëkritike, me ide dhe risi në çdo drejtim. Vullnet e energji të reja në çdo hap për suksesin e këtij mandati të ri. Pakicës dua t’i them se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë dhe në respekt të zgjedhësve tuaj, do të keni vëmendjen tonë dhe kohën që dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbëve si argument dhe të zhurmës dhe rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërt, prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi”, u shpreh Rama, shkruan A2.

“Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati. Unë nuk do të lexoj të gjithë programin, as nuk do marr kohën e Kuvendit duke prekur me detaje të gjitha fushat, që do i paraqesin një nga një ministrat. Inovacioni dhe inteligjenca artificiale do të jenë dy kuaj strategjikë të betejave tona. Shteti i së drejtës është themeli i anëtarësimit. Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit është thelbësor. Kodi i ri Penal dhe Kodi i ri Civil janë në proces, si baza të reja të një legjislacioni modern, me standardet më të larta europiane”, shtoi kryeministri.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos