Lisandër Hoxha: PD të pastrohet nga sorosistët dhe ata që marrin tendera

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 21:05 | Politikë

Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit të Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, theksoi se askush në PD nuk duhet të financohet nga Sorosi ose të përfitojë tendera publikë.

“Partia Demokratike vuan sot për disa shtylla ekzistencialiste. Në PD ka një shtresëzim elementësh të ndryshëm politikë. Ka demokratë si unë dhe Dorian Teliti, ka ish-funksionarë të lartë që kanë edhe ngarkesa negative në opinionin publik, edhe pozitive sepse ka njerëz që u vlerësohet puna... dhe gjithë kjo gamë karakteresh të ndryshme brenda PD-së nuk ka gjetur linjën e vet në opozitë se si të manifestojë më të mirën e vet dhe të qarkullojë elitat”, tha Hoxha.

“Duhet të qarkulloheshin elitat që sot mos të ishe këtu. Nuk ke nevojë për shoqërinë civile. Përballë kemi një diktator, që me prova e fakte të gjitha zgjedhjet i ka vjedhur. Hajdutit i rrihet te dera. Nëse Rama është hajduti i zgjedhjeve, PD-ja ka detyrë morale të kërkojë përsëritjen e zgjedhjeve të 11 majit, sepse nuk mundet që legjitimiteti i një qeverie të dalë nga zgjedhje të vjedhura. Së dyti, PD-ja duhet të futet në një proces të thellë për të gjetur konsensusin me veten e vet që të gjithë elementët më të mirë të saj të bëhen të përshtatshëm për të gjithë shoqërinë. Nuk mund ta shikojnë njerëzit njësoj qeverinë dhe opozitën. Kur themi që jemi në luftë me Sorosin, i cili shtyn agjenda që kanë dëmtuar vendin tonë, duhet të vëmë një standard: që një përfaqësues i lartë i PD-së nuk është në pajtueshmëri me mandatin në rast se financohesh nga një organizatë e majtë. Duhet ta bëjmë rregull në statut. Kam edhe një propozim: kur themi që këtu është narkokraci, duhet ta mbajmë të pastër partinë dhe të shohim me vëmendje edhe brenda PD-së nëse ka dikush lidhje me pushtetin. Nuk mund të përfaqësosh qytetarët nëse bashkëshortja, vëllai, motra ose prindi janë përfitues të tenderave publikë përmes atyre që i quajmë oligarkë”, shtoi Lisandër Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos