
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Vlorës, Gjergji Nika, ka reaguar pas humbjes së thellë përballë kandidates socialiste, Brunilda Mersini, në zgjedhjet e 9 nëntorit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nika ka falënderuar të gjithë votuesit dhe mbështetësit gjatë fushatës, shkruan A2 CNN.
Duke premtuar se rrugëtimi i tij do të vijojë, ai hedh akuza ndaj PS e PD, duke preteduar se 2 forcat e mëdha politike e kanë luftuar qëllimisht.
Ai shton se si anëtar i Këshillit Bashkiak do të jetë zëri dhe ndërgjegjja e qytetarëve përballë çdo padrejtësie, por edhe një zë konstruktiv kur bëhet fjalë për çdo nismë që i shërben vërtet Vlorës dhe qytetarëve të saj.
Reagimi i Nikës:
Të dashur miq, mbështetës e qytetarë të Vlorës,
Nga zemra ju falënderoj për përkushtimin, besimin dhe mbështetjen tuaj gjatë kësaj fushate të vështirë, por dinjitoze.
Faleminderit për çdo dorë që u shtri, për çdo fjalë inkurajimi, për çdo votë besimi dhe për çdo ditë që qëndruat krah meje në këtë garë që nuk ishte e lehtë, por që ishte e ndershme, qytetare dhe plot dinjitet.
U përpoqëm deri në ditën e fundit, përballë të dy forcave të mëdha politike, të cilat na luftuan me çdo mjet, me një qëllim të vetëm: t’i japim Vlorës mundësinë për të ndryshuar, për t’u drejtuar ndryshe, me transparencë, përgjegjshmëri dhe dashuri të vërtetë për qytetin, me bindjen se Vlora meriton më shumë.
Edhe pse rezultati nuk ishte fitorja që dëshironim, unë nuk e quaj këtë një humbje. Fitore është çdo qytetar që u ngrit, që besoi, që votoi ndryshe: për transparencë, llogaridhënie, meritokraci, ndershmëri dhe për një qytet më të jetueshëm e dinjitoz! Kemi fituar respekt, kemi fituar zë, kemi fituar një lëvizje qytetare që beson se Vlora meriton më shumë.
Rrugëtimi politik e qytetar nuk mbaron këtu. Si anëtar i Këshillit Bashkiak do të jem zëri dhe ndërgjegjja e qytetarëve përballë çdo padrejtësie, por edhe një zë konstruktiv kur bëhet fjalë për çdo nismë që i shërben vërtet Vlorës dhe qytetarëve të saj.
Së bashku të ndërtojmë një opozitë të re, politike, qytetare, të çliruar, të hapur e me vizionin e së ardhmes!
Vlora meriton më shumë, ndryshimi është i mundur dhe unë do të vazhdoj ta them e ta kërkoj çdo ditë!
Gjergji Nika (A2 Televizion)
