Magjistratët padi ministrit për pagat, Rama: Të vendosin dhe emrin tim, në datën 17 miratohen shtesat

Nga A2 CNN
10 Shtator 2026, 15:22 | Politikë

20 përfaqësues të gjykatave, përfshirë edhe atë të Posaçme, por edhe të Prokurorisë, kanë nënshkruar kallëzimin penal ndaj Ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm, Klentian Kërri, dhe përgjegjësve të degëve të Thesarit. Shkak është bërë refuzimi, sipas tyre, i kalimit të pagave me rritjen sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky veprim është shoqëruar edhe me reagimin e kryeministrit Edi Rama. Në rrjetet sociale, ai thekson se në padi duhet të ishte edhe emri i tij, duke shtuar se rritja e rrogave duhet të bëhet vetëm pas miratimit të ligjit në Kuvend.

“Mungon emri im dhe ai i ministrit të Drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e Thesarit të Shtetit. Vetëm Parlamenti mund ta bëjë këtë”, tha Rama.

Madje, Rama e cilëson një “histori bajate”, që do të zgjidhet menjëherë pas votimit në Parlament.

Pikërisht në këtë përplasje, edhe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, mazhorancë dhe opozitë shkëmbyen replika. “Për Ministrinë e Drejtësisë, procedura parlamentare tashmë ka nisur”, tha Saimir Korreshi.

Edhe kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, shtoi se javën e ardhshme drafti do të votohet në Kuvend.

Në agjendën e Kuvendit tashmë janë përfshirë edhe nismat e deputetëve, ku parashikohet rritja e pagave të gjyqtarëve, e cila do të shtrijë efektet prej vitit 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos