
Gjyqtarët e Shqipërisë i kanë kërkuar Presidentit të Republikës të ndërhyjë për të garantuar pavarësinë e pushtetit të tyre, pas ngërçit të krijuar me qeverinë për pagat.
Në përfundim të mbledhjes së përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, të thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore, ata dolën me një deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë që zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të zhbllokohet menjëherë pagesa pa asnjë vonesë e pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Ata gjithashtu kërkojnë miratimin e kuadrit të ri ligjor, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i kërkon Presidentit të Republikës, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese, të angazhohet për respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe garantimin e statusit të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore. Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i kërkon Presidentit të Republikës monitorimin me rigorozitet të projektligjit të propozuar nga deputetët e Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016”, me qëllim që propozimet për ndryshime të ligjit të jenë në përputhje me frymën, standardet dhe detyrimet që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe efektiv të tij. Në rast se nuk veprohet menjëherë nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore”, thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)