Në gjykimin e anëtarit të djathtë të Këshillit Bashkiak të Vlorës, Atird Hoxha katapultimi i deputetes socialiste Brunilda Mersini si kandidate e mazhorancës për Bashkinë e Vlorës, zbulon lojën e pistë që u zhvillua nën rrogoz për largimin e Ermal Dredhës nga drejtimi i qytetit.
Në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN, Hoxha tha se Mersini është pjesë e një klani të PS në Vlorë që kërkonte eliminimin politik të Dredhës, për të shtënë në dorë bashkinë bregdetare dhe benefitet nga pushteti lokal.
“Zonja Mersini ka qenë pjesë e një klani të brendshëm në Partinë Socialiste për të konkluduar largimin definitiv të zotit Dredha dhe për tu vënë në posedim të Bashkisë Vlorë dhe për të pasur më pas ato devijimin e fondeve publike dhe administrimin dhe dërguarjen e fondeve publike për interes të klientëve pranë qeverisë dhe zotit Rama, e grupeve që kanë qenë pjesë e këtij makinacioni për të larguar zotin Dredha”, tha Atird Hoxha në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
Ai u shpreh se me këtë analizë nuk merr në mbrojtje Dredhën. Po ashtu këshilltari i PD theksoi se Mersini ka përfituar nga pushteti si ligjvënëse e PS dhe është mishërim i korrupsionit të mazhorancës.
“Këtu nuk dua të mbroj zotin Dredha pasi ai është pjesë e Partisë Socialiste dhe normalisht ka edhe ai kusuret e tij në menaxhimin e qytetit, por po them se kjo është mënyra se si e shoh unë kandidaturën e zonjës Mersini. Nuk ka asnjë lloj diskutimi PD që zonja Mersini është një konsumatore e rregullt e pushtetit, e korrupsionit e të tjera si këto në pushtetin e Rilindjes. Është mishërimi i përfitueses nga partia”, deklaroi Atird Hoxha në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN. (A2 Televizion)