Seanca e tensionuar në Kuvend, Balla: Dy orë pa hyrë në rend dite, Berisha e ka për zanat

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 12:42 | Politikë

Seanca e tensionuar në Kuvend, Balla: Dy orë pa hyrë në rend

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi për mediat përfundimin e një seance të tensionuar plenare, ku diskutimi për rendin e ditës nuk u arrit të niste për më shumë se dy orë.

Ai e akuzoi opozitën, veçanërisht ish-kryeministrin Sali Berisha, për bllokimin e qëllimshëm të punimeve parlamentare.

“Dy orë dhe nuk është e mundur që të fillojë diskutimi për rendin e ditës. Kur merr fjalën një nga Këshilli i Ministrave, ke disa mercenarë që turren për të mos lënë ministrat të flasin. Fyejnë me një fjalor rrugaçi çdo koleg”, u shpreh Balla.

Sipas tij, kjo është një strategji e mirëorganizuar nga Berisha për të penguar punën e Kuvendit.

“Kjo nuk është diçka e re. Është mënyra e vetme që njeh Berisha për të krijuar kaos. Ai nuk lejon të flasin as deputetët e vet, ndërsa vetë kërkon fjalën 7 herë për procedurë”, theksoi Balla.

Në lidhje me akuzat e opozitës për një takim të dyshuar në Aruba me kartelet e drogës, Balla mohoi çdo përfshirje të përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe rikujtoi se personi në fjalë, Artur Shehu, dikur ka ndihmuar vetë Berishën për të hyrë në Vlorë.

“Për transparencë: Artur Shehu është njeriu që transportoi me makinë Berishën për të hyrë në Vlorë. Unë dhe asnjë nga PS nuk ka udhëtuar ndonjëherë me atë. Zallamahia që krijon PD-ja është vetëm për të hequr vëmendjen nga sjellja e tyre në sallë”, shtoi Balla.

Ai bëri të qartë se, për sa kohë do të jetë në drejtimin e Grupit Parlamentar të PS-së, nuk do të lejojë që Kuvendi të paralizohet nga një pakicë që pengon zhvillimin normal të punimeve.

“Nëse deputetët nuk lënë të flitet, këtë përgjigje do të marrin. Nuk do të lejojmë përsëritjen e historisë së vjetër të bllokimit nga një person që nuk i intereson fare funksionimi i institucioneve. Për mua, Saliu është zero,” përfundoi Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos