“E mbyllën seancën sapo përmenda Arubën”, Berisha: Dëshmon tmerrin e Edi Ramës nga aktet e tij

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 12:22 | Politikë

“E mbyllën seancën sapo përmenda Arubën”,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se mbyllja e seancës parlamentare para kohe nga ana e socialistëve erdhi pas akuzave për takimin e fshehtë në Aruba ku sipas opozitës janë takuar përfaqësues të karteleve të drogës dhe të Kryeministrit Rama.

“Refuzimi që i bëhet interpelancës për Arubën dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga aktet e tij, të cilat janë unike. Pas Maduros së Venezuelës, nuk ekziston një kryeministër që të ketë shkuar vetë apo të ketë dërguar si dërgatë ministra që janë këtu në sallë, në Aruba për të arritur një marrëveshje me bosët e drogës. Pse keni frikë nga transparenca? Nëse këto veprime nuk kanë ndodhur, dilni dhe mohojeni këtu. Po nuk e mohoni dot se është me Luftim Hysin në zyrë dhe e ka pohuar vetë. Nuk mohoni dot çarterin e nisur nga Tirana për t’u takuar me bosët e drogës në Aruba”, tha Berisha jashtë sallës së seancave plenare, përcjell A2 CNN.

“Ky është Pelesh-parlamenti, unik në historinë e tij. E turpshme. Këta kanë frikë dhe tmerr dhe votojnë me shpejtësi të rrufeshme. I vetmi moment që ndodhi ishte se unë denoncova refuzimin e Edi Ramës për Arubën, ministrat që kanë qenë në Aruba, rikujtova pritjen që i ka bërë Sinaloas së Meksikës. Dhe këto fjalë, sikur të ishin thika apo bajoneta, detyruan Peleshin të mbyllë parlamentin. Ky është de facto asgjësimi i parlamentit. Në qoftë se parlamenti trajtohet në këtë mënyrë... Nuk kishte asnjë lloj, përkundrazi insistuam në një të drejtë kushtetuese të deputetëve. Dhe ky, 10 orë debate të parashikuara në rregullore, mbylli parlamentin dhe ikin. Ky është parlament që nuk duhet të ekzistojë asnjë ditë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos