Ilir Meta vijon qëndrimin në burg. Gjyqi për ish-presidentin e Republikës, drejtues i Partisë së Lirisë u shty të premten, pasi Mbrojtja e tij theksoi se kërkesa nuk mund të shqyrtohej nga një gjyqtar i gatshëm, por nga gjyqtari i hetimit paraprak.
Gjyqtari i gatshëm që do të jepte vendimin në Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë ishte Erjon Bani. Ai vetë shpalli moskompetencën për të vendosur në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën, me një masë më të butë sigurie. Edhe avokati Kujtim Cakrani sqaroi për median se gjyqtari që duhet të japë vendimin është Erjon Çela, shkruan A2 CNN.
“Duket se edhe në dijeni të këtyre rretjanave vetë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë. Ndërsa SPAK përfaqësohej nga prokurori Alfred Shehu, i cili është gjithashtu i gatshëm këtë periudhë, duke qenë se prokurorët e çështjes Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi nuk ishin të pranishëm.
Hetimet për ish-kryeministrin, ish-kreun e Kuvendit dhe ish-presidenti e Republikës përfunduan më 4 gusht SPAK. Ilir Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për dy dosje, ajo e lobimit të LSI në SHBA dhe dosjen CEZ-DIA. Më 6 gusht Meta paraqiti kërkesën për ndryshim mase duke dhënë fjalën se nuk do të arratiset nëse lirohet nga qelia, pasi mund t’i bllokohet edhe pasaporta. Krahas tij nën akuzë janë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatimja, si dhe dy bashkëpunëtorët Ema Çoku dhe Pirro Xhixho”, tha avokati. (A2 Televizion)