Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu batutat me një tjetër kryetar bashkie demokrat. Pasi etiketoi “0, demokrat komplet” kryetarin e Kavajës, Fisnik Qosja, sa i përket procesit të legalizimit, Rama shkëmbeu disa batuta edhe me kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit, Hil Curri.
Në momentin që Curri kërkoi fjalën, Rama i tha: “Na uro një herë për fitoren, se nuk na ke uruar”, duke shkaktuar të qeshura në sallë, shkruan A2 CNN.
Curri nga ana e tij kërkoi mbështetje nga qeveria qendrore për disa projekte, kryesisht në fushën e energjisë së rinovueshme. “I kemi projektet gati, për fotovoltaikët dhe eolikët”, tha Curri. “Janë të gjitha organizata të huaja, shoqata të huaja. Ju lutem shumë na ndihmoni, sepse nuk kemi lidhje me bujqësinë, e kemi vetëm 3% bujqësinë. I kemi bërë të gjitha projektet, do t’ua sjell. Donatorët janë të gjithë nga Bashkimi Europian”.
Kryeministri fillimisht e quajti Currin kryebashkiak të Pukës, lapsus që e kaloi me batutë: “Vdes ta shoh një herë kryebashkiak të Pukës atë”...
Curri tha se 50% e njerëzve në Fushë Arrëz nuk e besojnë se integrimi në BE do të realizohet, por Rama iu përgjigj: “I keni mbytur ju me propagandë, çfarë të bëjnë ata. Ata të dëgjojnë ty. Ti këndej do projekte nga BE-ja, andej thua nuk futemi në BE”. (A2 Televizion)