Ndizen tensionet në Lezhë. Hetohet për shpifje Gjin Gjoni, nënkryetarit të bashkisë i pritet rruga

Nga Xhensila Kodra
6 Maj 2025, 14:43 | Politikë

Me këtë postim të bërë më datë 4 Maj në rrjetin e tij social Facebook, Gjin Gjoni, kandidat për deputet i Partisë Demokratike, akuzonte 5 zyrtarë socialistë se ishin të implikuar në blerjen e votës dhe i bënte thirrje drejtësisë të vepronte.

Policia e Lezhës nisi fillimisht hetimin kryesisht në lidhje me deklaratën publike, por më pas 5 zyrtarët e Partisë Socialiste Denis Pervathi, Eraldo Smaçi, Paulin Gjergji, Emirjan Lazri, dhe Rigels Nicaj, e kallëzuan Gjonin për shpifje, shkruan A2.

Tashmë, ish-gjyqtari që kërkon një vend në Kuvend, do të hetohet në gjendje të lirë për shpifje. Zyrtarisht, Policia e Lezhës deklaroi se për Gjin Gjonin janë referuar materialet në prokurori, pasi konsiderohen shpifje akuzat e tij në rrjetin social Facebook se 5 përfaqësues dhe simpatizantët e PS-së janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish.

Por, nuk përfundon me kaq. Duket se kjo fushatë zgjedhore është tepër e tensionuar në Qarkun e Lezhës, i cili nga Partia Socialiste ka drejtues politik deputetin dhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe në krahun tjetër deputetin dhe nënkryetarin demokrat të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.

Mbrëmjen e së hënës, një incident elektoral u regjistrua mes socialistëve dhe demokratëve dhe koalicionit euroatlantik. Në incident janë përfshirë nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, drejtori i OSHEE-së në Lezhë, Andi Marku të dy nga PS, Gjin Gjoni nga PD dhe Eduart Ndocaj nga partia e Lulzim Bashës. Zefi, ka kallëzuar në polici se për motive që lidhen me fushatën elektorale, është penguar me automjetin e tij që të lëvizë në fshatin Kolsh. Opozitarët i kanë akuzuar personat me pushtet se kanë dashur të blejnë vota dhe se në makinë e tyre ka pasur materiale zgjedhore.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu tha se opozita po bën provokime të qëllimshme. Në një tjetër rast policia procedoi në gjendje të lirë një mbështetës të PD-së, 38-vjeç për veprat penale “Prishje e qetësisë publike”, “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Në gjendje të lirë po nga Policia e Lezhës është proceduar edhe një 24-vjeçar që në TikTok ka publikuar një fotografi të fletës së votimit të plotësuar, të cilën e ka siguruar nëpërmjet shërbimit postar, duke qenë se është emigrant në Gjermani dhe votues në këtë qark. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos