Akuzoi për blerje votash 5 zyrtarë të PS në Lezhë, procedohet për shpifje Gjin Gjoni

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 11:37 | Politikë

Akuzoi për blerje votash 5 zyrtarë të PS në Lezhë,

Një ditë pasi akuzoi pesë anëtarë të Partisë Socialiste për blerje votash, kandidati demokrat për Lezhën, Gjin Gjoni është kallëzuar në polici për shpifje.

Policia e Lezhës ka referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin në gjendje të lirë për Gjonin, pasi personat që ai akuzoi për blerje votash Denis Pervathi, Eraldo Smaçi, Paulin Gjergji, Rigels Nicaj dhe Emirjan Lazri e kanë denoncuar pranë uniformave blu.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpifja”, për shtetasin Gj. Gj., 55 vjeç, banues në Lezhë, kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi kanë kallëzuar shtetasit D. P., E. L., E. S., P. Gj. dhe R. N. (përfaqësues dhe simpatizantë të subjektit politik “Partia Socialiste”), se 55-vjeçari ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një postim, nëpërmjet të cilit shpif se 5 shtetasit janë të implikuar në blerje votash dhe intimidim zgjedhësish”, njofton policia.

Gjoni ditën e djeshme denoncoi se zyrtarët e lartëpërmendur janë duke intimiduar qytetarët dhe po blejnë vota për llogari të mazhoranvës së majtë.

DENONCIMI I GJONIT:

Denoncim publik: Kriminelët elektoral janë aktivizuar – Drejtësia të veprojë me urgjence!

Me afrimin e datës së zgjedhjeve, po shfaqen gjithnjë e më hapur elementë që po përpiqen të deformojnë vullnetin e qytetarëve përmes blerjes së votës. I bëj thirrje publike SPAK dhe organeve të drejtësisë të veprojnë menjëherë ndaj këtyre personave, për të shmangur përplasjet dhe tensionet që mund të lindin. Ne nuk do të lejojmë që demokracia të nëpërkëmbet – kushdo që do tentojë të prekë votën e lirë do të na ketë përballë!

Njerez nga vetë Partia Socialiste me informojnë se këta janë disa prej emrave që janë pjesë e përpjekjeve për blerje votash dhe intimidim të qytetareve:

• Denis Pervathi – Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Lezhë po vepron në Kolsh

• Eraldo Smaçi – Drejtor i IVMT në Bashkinë Lezhë po vepron në Zejmen

• Paulin Gjergji – Drejtor i Emergjencave në Bashkinë Lezhë po vepron në Balldre

• Rigels Nicaj – Zyrtar i Partisë Socialiste po vepron në Ishull-Lezhë

• Fred Pervathi – Shofer ambulance po vepron në Manati

• Agim Prendi – Zyrtar i PS po vepron në Zejmen

• Emirjan Lazri – Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor po vepron në Dajç

Këta individë dhe të tjerë që do ti denoncojmë me zë dhe figure më ditët në vijim duhet të hetohen pa vonesë dhe të vihen para drejtësisë, pasi ne jemi të vendosur që vullneti i qytetareve të mos tjetërsohet siç ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos