“Të zgjatet vlefshmëria”, PD: 466 mijë shqiptarë kanë dokumente identifikimi të skaduara

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 14:34 | Politikë

Partia Demokratike u rikthye te kërkesa për zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, për të lejuar në këtë mënyrë edhe 466 mijë qytetarë që nuk kanë një dokument të vlefshëm të votojnë në 11 maj.

Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, nga selia blu i bëri thirrje qeverisë që të miratojë me akt normativ zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve që askush të mos jetë i diskriminuar në këto zgjedhje.

“Sot janë 466 mijë shtetas me të drejtë vote të cilët nuk kanë një dokument të vlefshëm identiteti, as letërnjoftim, as pasaportë. Qeveria Shqiptare zgjati vlefshmërinë vetëm për zgjedhësit që jetojnë jashtë Shqipërisë, duke diskriminuar ata që janë në Shqipëri. Ky diskriminim është antikushtetues dhe rrezikon të drejtën e votës së këtyre 466.000 shtetas që banojnë në Shqipëri, dhe më 11 maj duan të votojnë e të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese. I kërkojmë qeverisë që pa vonesë të nxjerrë aktin normativ dhe të zgjatë vlefshmërinë e dokumenteve të identitetit vetëm për arsye zgjedhore, që këta shtetas më 11 maj të kenë mundësi të votojnë. I kërkojmë KQZ, si organi suprem në mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të kërkojë me forcë pranë qeverisë në mënyrë që këta shtetas të kenë mundësi që të votojnë. Gjithashtu tërheqim vëmendjen e mekanizmave ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve, siç është OSBE-ODIHR, OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar, që të vënë në dukje këtë shkelje të të drejtave të shqiptarëve. Kjo të bëhet tani, menjëherë, në mënyrë që më 11 maj të gjithë shqiptarët të kenë të drejtën të shprehen për ndryshimin, për të ndryshuar këtë regjim autokratik”, tha Bylykbashi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos