Sa paguhet LaCivita? Intervista për WSJ: Kundër Berishës, të njëjtët njerëz që bënë manovra ndaj Trump-it

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 14:00 | Politikë

Sa paguhet LaCivita? Intervista për WSJ: Kundër Berishës, të

Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës fituese të Donald Trump në SHBA, është përfshirë aktivisht në politikën shqiptare si këshilltar kryesor i opozitës për zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë për gazetën prestigjioze Wall Street Journal, LaCivita shpjegon rolin e tij në Shqipëri dhe thekson se nuk ka ndërmend të regjistrohet si agjent i huaj në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk po përpiqem të ndikoj politikanë amerikanë. Aktivitetet e mia janë të fokusuara tërësisht në Shqipëri”, deklaron LaCivita për WSJ, duke nënkuptuar se angazhimi i tij nuk bie në kundërshtim me ligjin amerikan për regjistrimin e agjentëve të huaj.

Strategu republikan ka marrë pjesë në disa mitingje të Partisë Demokratike në Tiranë dhe ka ndihmuar në realizimin e fushatës mediatike të opozitës duke fluturuar tri herë drejt Shqipërisë gjatë muajve të fundit.

E paqartë mbetet shuma që LaCivita është paguar për këtë angazhim. I pyetur nga Wall Street Journal, ai nuk pranoi të japë një shifër, por tha se pagesa është “e përafërt me atë të një fushate kombëtare politike”. Sipas gazetës, ekspertët mendojnë se bëhet fjalë për shifra që mund të kalojnë 1 milion dollarë. LaCivita sqaroi se pagesa do të bëhet publike nga vetë partia pas zgjedhjeve.

Për ta ndihmuar me fushatën e PD-së në Shqipëri, LaCivita ka rekrutuar edhe disa ish-këshilltarë të Donald Trump, si Paul Manafort dhe Tony Fabrizio. Manafort ka qenë menaxheri i fushatës së Trump në vitin 2016 dhe sipas LaCivita-s po jep këshilla strategjike të nivelit të lartë. Ai u dënua për evazion fiskal dhe mashtrim, por u fal nga Trump. Ndërsa Tony Fabrizio ka qenë personi përgjegjës për sondazhet në fushatën e Trump vitin e kaluar dhe është punësuar për të siguruar të dhëna për fushatën e opozitës shqiptare, shkruan WSJ.

Në intervistë, LaCivita tha se situata e Berishës është e ngjashme me atë të Donald Trump. “Janë të njëjtët njerëz që bënë manovra të ngjashme kundër Donald Trump, janë gjurmët e tyre gjithkund”, tha ai për WSJ.

Slogani i frymëzuar nga Trump, “Make Albania Great Again”, është përdorur në disa materiale elektorale. LaCivita pranoi se përkthimi nuk është i lehtë, por tha se ideja është “të punojmë për ta bërë Shqipërinë madhështore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos