Nga lista e zezë te konfiskimi, Rama prezanton ndëshkimet për abuzimin me ndërtimet

Nga Fjorela Beleshi
9 Shtator 2025, 19:10 | Politikë

Qeveria prezantoi paketën ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, një projekt i cili do të vijojë përgjatë 4 viteve të mandatit të katërt. Paketa përmban masa të forta ndëshkuese për shkelësit e lejeve, ku çdo ndërtues i cili do të devijojë nga projekti i miratuar nga autoritetet shqiptare, nuk do të arrijë të marrë leje për 5 vite.

Ashpërsimi i masave në këtë sektor është specifikuar edhe për mashtrimet me shitjet apo shtesat që devijojnë gjatë zhvillimit.

Qeveria ka menduar edhe skenarin për të mos dëmtuar qytetarët blerës apo pronarët e tokës, në rastin e konfiskimit të objektit, shkruan A2 CNN.

“Qytetarët nuk do të preken, kontrata do të vijojë e njëjtë mes tyre dhe shtetit. Për abuzimet apo transformimet do të dënohen jo vetëm ndërtuesit, por edhe arkitektët”, tha Manja.

“Në këtë zinxhir përgjegjësish do të jenë të gjitha institucionet, duke filluar nga inspektori që do të caktohet për çdo objekt. Në rast se ata mbyllin sytë, do të dënohen”, tha Rama.

Qeveria nuk ka vendosur masa vetëm për abuzuesit me ndërtimet, por edhe ndaj atyre që cenojnë pronën përmes zjarrvënies.

Masat e propozuara për këto vepra penale do të përfshihen në kodin e vjetër penal deri në fund të tetorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos